Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

AJETE NGA KUR'ANI

1. Fatiha
1:1. Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
1:2. Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve!
1:3. Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
1:4. Sunduesit të Ditës së Gjykimit (përgjegjësisë-shpërblimit)!
1:5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ty kërkojmë ndihmë!
1:6. Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë!
1:7. Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!

2. Bekare

2:2. Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.
2:3. Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj.).
2:4. Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t'u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (Ahiretin).
2:5. Të tillët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit.
2:6. E ata që mohuan (Kur'anin dhe Muhammedin), për ta është njësoj ua tërhoqe vërejtjen apo nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë.
2:7. All-llahu ua mbylli atyre zemrat, veshët e tyre dhe në të pamurit e tyre ka një perde, e ata kanë një dënim të madh.

2:177. Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t'i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.

2:184. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.
2:185. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.

3. Ali Imran

3:2. All-llahu është Një, e nuk ka të adhuruar (Zot) pos Tij, është i përjetshëm, mbikëqyrës.
3:3. Ai ta zbret ty (Muhammed) librin me argument që është vërtetues i librave të mëparshëm. Ai e zbriti më parë Tevratin dhe Inxhilin.
3:4. Udhërrëfim për njerëz, e zbriti edhe Furkanin (dalluesin e së vërtetës nga gënjeshtra). S'ka dyshim se ata që mohojnë argumentet e All-llahut i pret ndëshkimi i rreptë. All-llahut është ngadhënjyes, shpagimtar.

3:8. “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”.
3:9. “Zoti ynë Ti je ai që në një ditë do t'i tubosh njerëzit, ditë që për të cilën nuk ka dyshim. All-llahu nuk e shkelë premtimin e vet”.

3:16. Ata të cilët thonë: “Zoti ynë, ne sinqerisht besuam, na i falë mëkatet tona na ruaj prej ndëshkimit të zjarrit”!
3:17. Dhe ata që janë të durueshëm, të drejtë, të devotshëm e dorëdhënës dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë.
3:18. All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit.

3:26. Thuaj: “O All-llah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë”!
3:27. Ti e fute natën në ditë dhe Ti e fute ditën në natë, Ti nxjerr nga i vdekuri të gjallin dhe nga i gjalli të vdekurin dhe Ti e begaton pa masë atë që do!
3:28. Besimtarët të mos i miqësojnë mosbesimtarët, e t'i lënë manash besimtarët. E kush bën atë, ai nga feja e All-llahut nuk ka asgjë, përveç nëse është për qëllim ruajtja prej të keqes së tyre. All-llahu ua tërheq vërejtjen me dënim prej Tij, pse vetëm tek All-llahu është e ardhmja.
3:29. Thuaj: “Edhe nëse e fshehni atë që keni në zemrat tuaja ose e publikoni, All-llahu e di atë, Ai di gjithçka ka në qiej e ç'ka në tokë; All-llahu është i plotfuqishëm për çdo send.

3:179. All-llahu nuk është që t'i lë besimtarët ashtu siç jeni, pa dalluar të keqin nga i miri. All-llahu nuk ju zbulon juve të fshehtat (e të dini se ç'mbajnë në zemrat e tyre). Por All-llahu është Ai që nga të dërguarit e vet zgjedh atë që do (e i zbulon ndonjë të fshehtë). Prandaj, besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, e në i besofshit dhe nëse ruheni, atëherë ju keni një shpërblim të madh.

4. Nisa

4:11. All-llahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma; për prindërit, për secilin nga ata, ju takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta; në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta, (kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet testamenti (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi; ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj, prindërit tuaj ose fëmijët tuaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga All-llahu. Vërtet All-llahu është më i Dijshmi, më i Urti.
4:12. Juve ju takon gjysma e asaj (pasurie) që lënë gratë e tuaja, nëse ato nuk kanë fëmijë, por nëse ato kanë fëmijë juve ju takon një e katërta nga ajo që lënë ato, pasi të kryhet testamenti i tyre dhe pasi të lahet borxhi. Atyre (grave) ju takon një e katërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë, por nëse keni fëmijë, atyre ju takon një e teta nga ajo që leni pas kryrjes së testamentit që keni përcaktuar ose borxhit. Në qoftë se (i vdekuri) është mashkull ose femër, e trashëgohet nga ndonjë i largët (pse s'ka as prindër as fëmijë) po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre u takon një e gjashta, e në qoftëse se janë më shumë (se një vëlla ose se një motër) ata janë pjesmarrës të barabartë në të tretën (e tërë pasurisë), pas testamentit të porositur ose borxhit, e duke mos dëmtuar (trashëguesit). Ky përcaktim është porositur prej All-llahut. All-llahu është i gjithëdijshëm, jo i ngutshëm.
4:13. Këto janë (dispozita) të caktuara prej All-llahut. Kush i bindet All-llahut, (urdhërave të Tij) dhe të dërguarit të Tij, atë e dërgon në xhennete nën të cilin burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh.
4:14. Kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetëshëm. E për të është një dënim i rëndë.

5. Maide

5:6. O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë. Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)! Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja. All-llahu nuk dëshiron (me obligim për abdest e larje) t'ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t'ju pastrojë (prej mëkatëve), t'ua plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që t'i falënderoheni.
5:7. Përkujtojeni dhuntinë e All-llahut që ua dha (fenë islame) dhe zotimin e Tij, të cilin e pat marrë prej jush kur thatë: “Dëgjuam e respektuam”. Kini frikë All-llahun, pse All-llahu i di shumë mirë të fshehtat në gjoksa (në zemra).
5:8. O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni.
5:9. Atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi falje për mëkate dhe shpërblim të madh.
5:10. E ata që mohuan dhe përgënjeshtruan argumentet Tona, ata janë banues të xhehennemit.

5:41. O ti i dërguar! Të mos brengos vrapimi në mosbesim i atyre që me gojët e tyre thanë: “Ne kemi besuar”, e zemrat e tyre nuk kanë besuar (munafikët), e as i atyre që janë jehudi, të cilët shumë i përgjigjen gënjeshtrës dhe shumë dëgjojnë (fjalën) një populli që nuk vjen te ti, ata janë që i mënjanojnë fjalët pas vënies së tyre në vendin e vet (nga ana e All-llahut) e thonë: “Nëse u jepet kjo, pranoni, e nëse nuk u jepet, atëherë refuzoni. Po atë që All-llahu do ta humbë, ti nuk mund të bësh asgjë për të (nuk mund ta shpëtosh). Janë ata të cilëve All-llahu nuk deshi t'iu pastrojë zemrat (prej kufrit). Janë ata që në këtë jetë kanë poshtërim, kurse në jetën tjetër kanë dënim të madh.
5:42. Janë ata që i përgjigjen të pavërtetës dhe hanë shumë haramin (ryshfetin). Në qoftë se vijnë te ti (për ndonjë gjykim), gjyko mes tyre ose hiqju tyre. Nëse prapsesh prej tyre (nuk gjykon), ata nuk mund të sjellin ty kurrfarë dëmi. Po nëse gjykon mes tyre, gjyko drejtë; All-llahu i do të drejtit.
5:43. E si kërkojnë ata gjykimin tënd, kur ata kanë Tevratin, e në të cilin është vendimi i All-llahut, e pastaj ata refuzojnë më vonë atë (vendimin tënd)? Ata nuk janë besimtarë.
5:44. Ne e zbritëm Tevratin, në të cilin është udhëzimi i drejtë dhe drita. Sipas tij gjykuan ndaj atyre që ishin jehudi, pejgamberët që ishin të bindur, gjykuan edhe dijetarët e devotshëm e paria fetare, ngase ishin të obliguar ta ruanin librin e All-llahut dhe ishin mbrojtës të tij. Prandaj, mos u frikësoni nga njerëzit, vetëm Mua të më frikësoheni dhe mos i ndërroni argumentet e Mia për pak send. E kush nuk gjykon me atë që e zbriti All-llahu, ata janë mohues.

5:57. O ju që besuat! Mos i merrni për miq ata të cilëve u është dhënë libri para jush edhe as jobesimtarët që me fenë tuaj tallen dhe luajnë. Kini dro All-llahun po qe se jeni besimtarë.
5:58. Edhe thirrjen (ezanin) tuaj për namaz ata e marrin për tallje e lojë. Me këtë vërtetojnë se janë popull që nuk kupton.